Na vjen keq, por ju nuk keni asnjë produkt në shportën tuaj të blerjes.

Antarësohu në

Agjërimi dhe shkenca: Këto janë të mirat në organizmin e njeriut

Duke mos qenë nga tipat që fenomenet natyrore, shoqërore apo qoftë edhe fetare i pranon në paketë vendosa të hulumtoj dhe të analizoj çështjen e Ramazanit dhe ndikimit të tij në organizëm.  
Fillimisht kam menduar se ekziston një anomali në këtë ritual; duke qenë se Ramazani përcillet sipas kalendarit lunear, kalendar i cili në atë julian (që ne e përdorim) lëviz atëherë ky ritual paraqitet edhe në ditët ku agjërohet 18 apo në disa vende edhe më shumë orë. Në lindjen e mesme (prej nga buron islami) ky fenomen nuk vërehet aq sepse përshkak të pozicionit gjeografik ditët nuk janë të gjata më shumë se 13-14 orë. Do të ngjallte reagime të pafundme sikur të them se aso kohe kur nuk është ditur as forma e tokës  nuk është ditur se i bie përafërsisht 22 orë agjërim se nuk do ta kishin kriter lindjen e perendimin e diellit, bile po të lindte islami në Norvegji nuk do të mund të praktikonin këtë “kriter”. Në kohën tonë fetarët janë më dogmatikë se kurrë!   Kjo ishte në fillim…sepse pastaj më lindi një pyetje e cila më nxiti edhe për këtë shkrim…   Çka nëse njerëzit të cilët i ekspozohen më shumë dritës së diellit (dmth e kanë ditën më të gjatë) kanë nevojë për kohë më të gjatë agjërimi sepse kanë më shumë toksina për të eliminuar dhe se krejt kjo ndërlidhja me lindjen dhe perëndimin e diellit nuk është e rastësishme?  Kjo është një pyetje e cila kërkon studime afatgjatë perspektive sidomos në kuadrin e sëmundjeve  të hiperndjeshmërisë tip III dhe grumbullimeve brenda dhe jashtë qelizore me target grupe të cilët ekspozohen shumë dhe pak në diell. Studim të cilin unë s’e realizoj dot..   Por, agjërimi është pjesë e pothuajse të gjitha religjioneve me ndryshime të caktuara. Ajo çfarë mua më ka ngjallur interes është një pyetje tjetër: cilat mund të jenë efektet negative të një agjërimi të gjatë?   Ajo çfarë kam gjetur është interesante.   Të gjithë e dimë se agjërimi pastron trupin, kjo nënkupton disa procese të ndërlikuara fiziologjike dhe biokimike. Fillimisht prej 5 ose 6 litrave gjak (aq sa ka një i rritur normal) në organizëm sistemi digjestiv merr një përqindje të lartë të tij në shfrytëzim, afër 2 litra. Gjatë agjërimit pothuajse 80% e gjakut nga sistemi digjestiv kalon në organe tjera (dmth elementet e figuruara të gjakut kanë më shumë kohë të vizitojnë qelizat tjera të trupit dhe të kontrollojnë ato) duke i dhënë kohë të mjaftushme organeve si shpretka dhe mëlqia të largojnë eritrocitet, leukocitet gjegjësisht toksinat e dëmshme të filtrohen dhe përpunohen për t’u ekskretuar nga trupi, në gjendje normale kjo pengohet paksa nga funksione tjera të këtyre organeve (përpunimi, tretja, distribuimi dhe ekskretimi i racioneve ushqimore, 3 herë në ditë, çdo ditë, gjatë gjithë jetës) duke krijuar kështu akumulime të dëmshme për qelizat.     Termi toksinë do të thotë helm dhe për qëllim të kuptimit zë vënd postulati, “dallimi në mes ushqimit, barit dhe helmit është doza”, pra toksinë për organizmat tanë dinamik dhe në evolim të vazhdueshëm mund të jetë gjithçka e tepruar. Mirëqenia nënkupton balanc elektrolitësh, hormonesh dhe e nutricientëve të tjerë. Pikërisht kjo ndodh gjatë agjërimit, për një cikël të tillë organizmit i duhen disa orë. Mund të shtojmë se mungesa e aktivitetit seksual është në funksion të një metabolizmi stabil bazal (ngase aktiviteti seksual shpejton metabolizmin).   Shkaku i parë i vdekjeve në botë janë sëmundjet koronare, dhe prej shkaktarëve kryesor të tyre janë hipertensioni, kolesteroli LDL (low density lipoprotein), proteina C reaktive etj. Të gjitha këto i lufton jashtëzakonisht mirë agjërimi duke i dhënë kohë mëlqisë për metabolizmin e yndyrnave dhe kolesterolit. Pas 10 orësh agjërim glikoliza dhe glikogjenoliza përfundon dhe fillon  metabolizmi i lipideve dhe glukoneogjeneza (sinteza e glukozës nga lipidet dhe proteinat).   Personalisht kam besuar se pas një dite me agjërim dhe dyndjes së stomakut me ushqim në fund të saj stresi oksidativ do të rritet në qeliza dhe do ti dëmtojë ato (sikurse fenomeni reperfusion-ishemi) por në shumë punime shkencore kam gjetur të kundërtën, agjërimi ul stresin oksidativ. Stresi oksidativ është njëri prej faktorëve më të mëdhenj të plakjes qelizore dhe do të merrte kohë sqarimi i mekanzimit të tij, ashtu siç edhe mund të shkruajmë shumë për efektet e agjërimit në sisteme dhe nivele të ndryshme të organizmit. Por unë jam fokusuar në dy si më të rëndësishmit për kualitetin dhe jetëgjatësinë për t’u ndërlidhur pastaj me pyetjen që bëra në fillim; sistemin imun dhe atë nervor.   Pas një agjërimi mbi 17 orë për 30 ditë për sa më shumë vite sistemi imunitar është më i fortë, një sistem i fortë  imunitar do të thotë më pak kancer, më pak sëmundje, vitalitet e shumë gjëra tjera që mund ta ndërrojnë fatin! (kjo fjalia e fundit pak e besushme nga deterministët). Ajo çka mua më habiti ishte aktivizimi i “stem cells” gjatë agjërimit! Stem cells janë qeliza të padiferencuara të ruajtura në trupin tonë nga fazat e zhvillimit tonë embrional me të cilat po punohet shumë për të trajtuar sëmundje të ndryshme por akoma studimet janë në faza eksperimentale dhe jo fort produktive. Aktivizimi i stem cells ose qelizave mëmë do të thotë rigjenerim i sistemit imun ose me fjalë tjera “update” i tij, kjo, është diçka e jashtëzakonshme!   Më lartë thamë se pas 10 orësh agjërim fillon metabolizmi i yndyrnave, ky metabolizëm prodhon shumë trupa ketonik (aceton, acidi acetoacetik dhe acidi beta-hidroksibutirik), këta trupa i shfrytëzonë truri për ushqim e madje sipas disa hulumtimeve trupat ketonik ndihmojnë qelizat nervore për të forcuar sinapsat e tyre dhe rritur numrin e mitokondrieve në qelizë, kjo ndërlidhet edhe me uljen e sasisë së glukozës që shkon në tru. Rritja e numrit të mitokondrieve është ekuivalente me rritjen e numrit të tyre në muskuj gjatë stërvitjes fizike, një neuron me më shumë mitokondrie do të thotë një neuron më “muskulor”.   Agjërimi ndikon jashtëzakonisht mirë edhe në parandalimin e sëmundjeve degjenerative në tru, si Alzheimer apo Parkinson. Amiloidaza është një shembull studimi në këtë rast, ajo paraqet grumbullim të disa proteinave fibrilare (pllakat amiloide gjenden në të sëmurët me Alzheimer, grumbullime brendaqelizore gjenden edhe në sëmundjen e Parkinsonit dhe shumë sëmundje tjera degjenerative nervore) jashtëqelizore kjo manifestohet pastaj me simptoma klinike dhe kështu komplikohet situata, mbase ditëve me 20 orë agjërim këto grumbullime fillojnë të zvogëlohen…çka duhet të ndodhë tjetër që mos të ketë grumbullime? Sigurisht më pak prurje ose më shumë shfrytëzim! Organizmi dërgon sasi të mëdha glukoze në tru duke e ruajtur gjithmonë si organin më vital, por sasia e madhe e saj ndikon negativisht në neurone duke i bërë ato më përtace dhe të dobëta ,kjo rrjedhimisht shkakton sëmundje, pra duke agjëruar përpos efektit meditiv e psikologjik ne mbrohemi nga shumë sëmundje dhe sipas disa hipotezave edhe rrisim aftësitë tona memoruse dhe intelektuale.   Kjo ka sens edhe në aspektin evolutiv kurse një evolucionisti si unë s’i ka shkuar ndër mend se kur njeriu është i uritur ai vazhdimisht mendon dhe pak vepron, kjo e forcon trurin e tij dhe pikërisht kjo mund të ketë ndikuar në evolimin e trurit tonë dhe vetëdijes që na dallon nga primatët tjerë! ( e di e di, nuk ju pëlqen kjo fjali)   Tani le të bëjmë disa ndërlidhje logjike për t’iu përgjigjur pyetjes se a ndikon negativisht një agjërim i gjatë, të cilën e shtrova në fillim. Besoj se e kuptuat, shifrat e përmendura më lartë; disa orë për balanc, 10 orë për ndryshim të rrugëve metabolike, 17 orë për stem cell, 20 orë për neuron… flasin të kundërtën e kësaj. Do të thotë që organizmit i duhet kohë për të realizuar disa cikle të rëndësishme për të. Duken gjëra të determinuara ose probabilisht të determinuara  🙂     Një gjë kaq e dobishme pse nuk është promovuar qoftë pa aspektin religjioz të saj? …cilës industri do t’i konvenonte më shumë që njerëzit të konsumojnë më pak, asaj ushqimore apo farmaceutike?   Asnjërës.   Agjërim të lehtë për të gjithë…!   Artikull i shkruar nga Egzon Daku