Një prej pijeve më të njohura të dimrit e ndër më të vjetrat në rajon, e përhapur dhe familjare edhe në vendin tone, është boza.
Siҫ dihet, boza përbëhet nga fermentimi i kokrrave të misrit (në vendin tonë) ose nga fermentimi i drithërave të tjera. E përhapur në shumë prej vendeve të Ballkanit, është veçanërisht popullore në Kazakistan, Kirgistan, Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Mali të Zi, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në disa rajone të Rumanisë dhe Serbisë.
Boza përmban vlera të larta ushqimore, shumë proteina, kalcium, hekur, zink, fosfor etj. Është një prej pijeve ushqyese, e cila të mban të ngopur për shumë orë. Rekomandohet të pihet 2 deri në 3 orë pas vakteve.
Në Turqi, është një prej pijeve që daton qysh në fillim të shekullit të 10-të.
Pse këshillohet në dimër?
Shumë preferojnë ta konsumojnë bozën edhe në verë si pije freskuese, por në shumë vende të Ballkanit, si në Turqi, sa herë dëgjohet dikush duke thirrur “bozë”, do të thotë që dimri ka ardhur.
Është mirë të konsumohet në dimër për shkak se është e pasur me vlera të larta ushqimore, përmban shumë vitamina, A, C, E dhe B – të vlefshme për stinën e ftohtë kur trupi është i sulmuar nga virozat.
Po kështu, është një pije që u rekomandohet edhe të gjithë njerëzve që merren me aktivitet fizik (për shkak të pasurisë me vitamina të domosdoshme)
Edhe pse është një pije që nuk serviret e ngrohtë, duke i shtuar pak kanellë, bozën do ta bëni mjaft të shijshme për pasditet apo netët e ngrohta në shtëpi.